UP-ja, partner i programit të CDF-it për rehabilitim dhe riintegrim në Kosovë të personave të kthyer nga zonat e konfliktit

09 Nëntor 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Fondi për Zhvillim Komunitar - Community Development Fund – CDF kanë nënshkruar kontratën për fillimin e bashkëpunimit në kuadër të programit “Rehabilitimi dhe Riintegrimi në Kosovë - RRPK”. Kontrata është nënshkruar në ambientet e Rektoratit të UP-se, nga ana e rektorit, prof. dr. Qerim Qerimi, dhe znj. Nermin Mahmuti, drejtoreshë ekzekutive e CDF-së.

Objektivi i përgjithshëm i programit është rehabilitimi dhe riintegrimi i personave të kthyer nga zonat e konfliktit dhe familjeve të tyre dhe forcimi i kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve brenda institucioneve të Kosovës dhe profesionistëve të tjerë, përmes programeve të trajnimit për të mbështetur në mënyrë efektive rehabilitimin e personave të kthyer dhe familjeve të tyre.

Aktivitetet e këtij programi do të implementohen nga Instituti i Psikologjisë i Fakultetit Filozofik, i cili njëherësh do t’i trajnojë trajnerët për përmirësimin e shëndetit mendor për të kthyerit – përfituesit e programit.

Përfaqësues nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, respektivisht Instituti i Psikologjisë, u shprehën mirënjohës dhe të gatshëm në bashkëpunim për implementim të aktiviteteve, duke theksuar rëndësinë e inkuadrimit të njohurive shkencore dhe akademike në përmirësim dhe avancim të metodës së punës për zyrtarët/grupet target të programit.

Programi RRPK zbatohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF dhe financohet nga Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF).