Programi Digjital: “Radikalizmi, Terrorizmi dhe Ekstremizmi i Dhunshëm – Një Qasje Akademike për Ndërgjegjësim dhe Parandalim”

16 Tetor 2025
SHARE

Instituti i Psikologjisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës, në partneritet me organizatën Community Development Fund (CDF) dhe me mbështetjen financiare të Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF), ka zhvilluar dhe lansuar një platformë të re digjitale mësimore të dedikuar për studentët e universitetit të Prishtinës.

Ky program inovativ synon të kontribuojë në ndërgjegjësimin dhe edukimin akademik të të rinjve mbi fenomenet e radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke ofruar një qasje ndërdisiplinare dhe të bazuar në hulumtime shkencore.

Programi digjital “Radikalizmi, Terrorizmi dhe Ekstremizmi i Dhunshëm: Një Qasje Akademike për Ndërgjegjësim dhe Parandalim” është konceptuar si një mjet edukativ bashkëkohor, që kombinon teorinë akademike me praktikat profesionale të parandalimit dhe reagimit ndaj këtyre fenomeneve.

Ky program u mundëson studentëve të fitojnë njohuri të thelluara për:

  • konceptet bazë të radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit;
  • proceset psikologjike dhe shoqërore që ndikojnë në këto dukuri;
  • kontekstin lokal të Kosovës dhe rolin e institucioneve, komuniteteve dhe shoqërisë civile në parandalim.

Programi përbëhet nga dy module kryesore:

  • Moduli I: Trajton konceptet themelore dhe dimensionet teorike të radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit, duke ndriçuar aspektet historike, psikologjike dhe sociale të zhvillimit të tyre.
  • Moduli II: Përqendrohet në realitetin e Kosovës, duke analizuar faktorët lokalë, politikat institucionale dhe përfshirjen e shoqërisë civile në parandalim dhe reagim.

Secili modul përfshin mësime me video, materiale të shkarkueshme, si dhe kuize ndërvepruese që ndihmojnë në vlerësimin e njohurive të fituara.

Pas përfundimit të suksesshëm të të dy moduleve dhe kalimit të kuizeve, studentët pajisen me një certifikatë digjitale, e cila dëshmon për përkushtimin dhe angazhimin e tyre akademik.

Programi është i destinuar për studentët e fushave të:
psikologjisë, punës sociale, drejtësisë, gazetarisë, ekonomisë, sociologjisë, shkencave politike, si dhe disiplinave të tjera shoqërore që kanë interes në kuptimin dhe adresimin e këtyre temave komplekse.

Përmes këtij programi, studentët kanë mundësi të:

  • zhvillojnë njohuri të avancuara akademike mbi fenomenet e radikalizmit dhe ekstremizmit;
  • përforcojnë aftësitë analitike dhe mendimin kritik;
  • rrisin ndërgjegjësimin qytetar dhe profesional për sfidat e sigurisë dhe kohezionit social.

Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të edukimit digjital dhe qasjes parandaluese në mësimdhënien universitare, duke forcuar rolin e institucioneve akademike në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe rezistente ndaj formave të dhunës dhe polarizimit.

Programi është zhvilluar në kuadër të projektit “Prospero”, të implementuar nga Community Development Fund (CDF) përmes Institutit të Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës, dhe i financuar nga Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF).

Qasuni në platformën dixhitale këtu: https://prospero.uni-pr.edu/